Scanord

Politika e privatësisë

Përditësuar më 10 tetor 2026 · English

Kush jemi

Scanord është një platformë për porosi me kod QR dhe porosi online për kafene, restorante dhe hotele. Scanord operohet nga RORKOS SHPK, NUI 812067876, Kosovë. Kontakti: info@scanord.biz · +383 49 404 274.

Kjo politikë vlen për faqen scanord.biz, për faqet e porositjes që hapen duke skanuar kodin QR ose lidhjen e dërgesave të një lokali, dhe për aplikacionin Scanord për Android, që e përdorin pronarët dhe stafi i lokaleve për të menaxhuar porositë.

Për llogaritë e klientëve dhe të lokaleve, përgjegjës (kontrollues) është Scanord. Të dhënat e një porosie i shkojnë edhe lokalit ku porositët, i cili i përdor për ta përgatitur dhe dorëzuar porosinë dhe i mban si pjesë të evidencës së tij të shitjeve; për to Scanord vepron në emër të lokalit.

Çfarë mbledhim

Për të porositur në tavolinë ose në dhomë nuk ju duhet llogari. Llogaria (me Google ose Facebook) kërkohet vetëm për porositë me dërgesë.

  • Porositë: artikujt, sasinë, udhëzimet që shkruani për ta (p.sh. "pa ketchup"), shënimet, tavolinën ose dhomën, orën, gjendjen e porosisë, gjuhën që zgjodhët dhe mesazhet që i shkruani asistentit të porosisë.
  • Pagesa nga klientët: mënyrën e pagesës (para në dorë ose ngarkim në dhomë), monedhën dhe, nëse e shkruani, shumën me të cilën do të paguani. Scanord nuk merr pagesa me kartë nga klientët dhe nuk sheh e nuk ruan të dhëna kartash.
  • Mysafirët e hotelit: emrin me të cilin është regjistruar dhoma, kur e ngarkoni porosinë në dhomë.
  • Llogaria e klientit (kyçja me Google ose Facebook): emrin, adresën e email-it dhe identifikuesin e llogarisë suaj te Google ose Facebook. Nuk marrim fjalëkalimin, miqtë, postimet apo ndonjë të dhënë tjetër nga profili juaj, dhe nuk publikojmë asgjë në emrin tuaj.
  • Dërgesat: emrin, numrin e telefonit dhe adresën për dërgesë dhe mesazhet që shkëmbeni me lokalin. Numri i fundit i telefonit ruhet në llogarinë tuaj, dhe lokali mban numrin dhe adresën tuaj të fundit që të mos ju kërkohen sërish.
  • Pronarët dhe stafi i lokaleve: emrin, email-in, fjalëkalimin (vetëm në formë të koduar, hash), rolin, kush ka arkëtuar një pagesë, dhe të dhënat e biznesit (emri, adresa, numri fiskal, logoja, menyja dhe fotot e menysë që ngarkoni). Pagesat e abonimit bëhen në faqen e Raiffeisen Bank; ne nuk shohim dhe nuk ruajmë të dhëna kartash.
  • Formulari i kontaktit: emrin, email-in, telefonin, emrin e biznesit dhe mesazhin. Na dërgohen me email dhe nuk ruhen në platformë.
  • Të dhëna teknike: cookies që ju mbajnë të kyçur dhe që ruajnë shportën, një cookie që e njeh pajisjen tuaj për dërgesat e mëparshme te i njëjti lokal, regjistrimin e pajisjes për njoftime (në aplikacion ose në shfletues, nëse i aktivizoni), dhe regjistrat e serverit (p.sh. adresa IP dhe shfletuesi) për siguri dhe diagnostikim.
  • Statistika të vizitave: vetëm në faqet publike (kjo faqe, faqja kryesore, regjistrimi, kontakti) dhe vetëm nëse pranoni cookies, përmes Google Analytics. Faqet ku porositni dhe aplikacioni për stafin nuk e kanë.

Nuk mbledhim vendndodhjen tuaj, kontaktet e telefonit apo fotot nga pajisja juaj, përveç atyre që zgjidhni vetë t'i ngarkoni.

Pse i përdorim

  • për ta marrë, përgatitur dhe dorëzuar porosinë tuaj dhe për t'ju treguar gjendjen e saj — sepse e kërkoni ju (kontratë);
  • për t'i kuptuar mesazhet tuaja dhe për t'i kthyer në porosi, si dhe për t'ia përkthyer menynë dhe udhëzimet tuaja stafit — kontratë;
  • për t'ju njohur herën tjetër (emri, telefoni dhe adresa e fundit plotësohen vetë) dhe për t'i treguar lokalit që porosia vjen nga një llogari e verifikuar — kontratë;
  • për llogaritë, abonimet dhe faturimin e lokaleve dhe për njoftimin e stafit për porosi të reja — kontratë dhe detyrime ligjore (tatimore);
  • për sigurinë e platformës, parandalimin e abuzimeve dhe rregullimin e gabimeve — interes i ligjshëm;
  • për të kuptuar si përdoren faqet publike — pëlqimi juaj, të cilin mund ta tërhiqni në çdo kohë.

Bazat ligjore janë ato të Ligjit Nr. 06/L-082 për Mbrojtjen e të Dhënave Personale (Kosovë), të Ligjit nr. 124/2024 "Për mbrojtjen e të dhënave personale" (Shqipëri) dhe, për vizitorët nga BE-ja, të Rregullores së Përgjithshme për Mbrojtjen e të Dhënave (GDPR). Nuk i shesim të dhënat tuaja, nuk i përdorim për reklama dhe nuk marrim vendime të automatizuara me pasoja ligjore për ju.

Me kë i ndajmë

  • Lokali ku porositni — porosinë dhe, për dërgesë, emrin, telefonin dhe adresën.
  • Google dhe Facebook — vetëm për kyçjen, kur zgjidhni njërin prej tyre.
  • Anthropic (SHBA) — përpunon mesazhet që i shkruani asistentit të porosisë, përkthen menynë dhe udhëzimet tuaja që t'i lexojë stafi në gjuhën e vet, dhe lexon fotot e menysë që ngarkon pronari.
  • DigitalOcean — ku ruhen të dhënat dhe ku punon aplikacioni.
  • AppSignal — monitorimi i gabimeve dhe i shpejtësisë së aplikacionit. Merr vetëm të dhëna teknike (cila faqe ose punë dështoi dhe pse), jo mesazhet, adresat apo të dhënat e porosive tuaja.
  • Raiffeisen Bank (RaiAccept) — pagesat e abonimit të lokaleve.
  • SiteGround — dërgimi i email-eve (konfirmimi i llogarisë, mesazhet e kontaktit).
  • Google (Analytics, Firebase Cloud Messaging dhe Google Play) — statistikat e vizitave me pëlqimin tuaj, njoftimet në aplikacionin për stafin dhe shpërndarja e aplikacionit.
  • Autoritetet — vetëm kur ligji na detyron.

Këta ofrues i përdorin të dhënat vetëm për shërbimin që na ofrojnë. Nëse Scanord shitet ose bashkohet me një subjekt tjetër, të dhënat kalojnë te pronari i ri sipas kësaj politike dhe ju njoftojmë paraprakisht.

Aplikacioni Android

Aplikacioni Scanord për Android është për pronarët dhe stafin e lokaleve. Ai kërkon:

  • Njoftimet — për ta lajmëruar stafin për porosi të reja. Është opsionale, por pa të stafi mund të humbasë porosi.
  • Internetin — për të marrë porositë dhe përditësimet në kohë reale.

Lejet mund t'i ndryshoni në çdo kohë te cilësimet e Android-it.

Sa kohë i mbajmë

  • Llogarinë e klientit — derisa ta fshini.
  • Porositë, mesazhet e tyre dhe dërgesat — janë evidencë shitjesh e lokalit dhe mbahen për aq kohë sa i duhen atij dhe sa kërkon ligji tatimor, edhe pasi të fshini llogarinë, por pa lidhjen me të.
  • Llogaritë e lokaleve dhe të stafit — sa është aktive llogaria; faturat sa kërkon ligji tatimor.
  • Fotot e menysë — fshihen pasi menyja importohet, ose më së voni pas 7 ditësh.
  • Historikun e njoftimeve të stafit — 30 ditë.

Siguria dhe transferimet

Të dhënat enkriptohen gjatë transmetimit (HTTPS), fjalëkalimet ruhen vetëm në formë hash, të dhënat e çdo lokali janë të ndara nga lokalet e tjera dhe qasja e stafit kufizohet sipas rolit. Asnjë sistem nuk është plotësisht i sigurt; në rast cenimi të të dhënave njoftojmë autoritetin kompetent brenda 72 orëve dhe ju, kur cenimi paraqet rrezik të lartë për ju.

Disa nga ofruesit e mësipërm i përpunojnë të dhënat jashtë Kosovës dhe Shqipërisë, përfshirë Bashkimin Evropian dhe Shtetet e Bashkuara. Për transferimet jashtë BE-së mbështetemi në klauzola standarde kontraktuale dhe në garancitë e tjera që kërkon ligji.

Të drejtat tuaja

Mund të kërkoni të shihni, të korrigjoni, të fshini ose të merrni një kopje të të dhënave tuaja, ta kufizoni ose ta kundërshtoni përdorimin e tyre, dhe ta tërhiqni pëlqimin në çdo kohë, duke na shkruar në info@scanord.biz. Përgjigjemi brenda 30 ditëve. Nëse kërkesa ka të bëjë me një porosi, mund ta përcjellim edhe te lokali.

Nëse mendoni se të dhënat tuaja nuk po trajtohen si duhet, mund të ankoheni te autoriteti për mbrojtjen e të dhënave: në Kosovë, Agjencia për Informim dhe Privatësi (AIP); në Shqipëri, Komisioneri për të Drejtën e Informimit dhe Mbrojtjen e të Dhënave Personale (IDP); në BE, autoriteti i vendit tuaj.

Fshirja e të dhënave

Për të fshirë llogarinë tuaj të klientit:

  • Kyçuni me të njëjtën llogari Google ose Facebook, hapni këtë faqe dhe shtypni "Fshi llogarinë time"; ose
  • na shkruani nga i njëjti email në info@scanord.biz me temën "Fshirja e të dhënave". E fshijmë brenda 30 ditëve dhe ju njoftojmë.

Mund ta hiqni Scanord-in edhe nga lista e aplikacioneve të lidhura te Facebook (Cilësimet → Aplikacionet dhe faqet e internetit) ose te Google (Llogaria → Siguria → Lidhjet me aplikacionet e palëve të treta).

Llogaria e lokalit ose e stafit (edhe ajo që përdorni në aplikacionin Android): na shkruani nga email-i i llogarisë në info@scanord.biz me temën "Fshirja e llogarisë". E fshijmë brenda 30 ditëve, përveç atyre që ligji na detyron t'i ruajmë (p.sh. faturat). Pronari mund ta heqë vetë një anëtar të stafit nga paneli, te lista e përdoruesve.

Klientët pa llogari që duan të fshihen të dhënat e një porosie: na shkruani me emrin e lokalit dhe datën e orën e përafërt të porosisë.

Fëmijët

Platforma nuk u drejtohet fëmijëve nën 16 vjeç dhe nuk mbledh me vetëdije të dhënat e tyre.

Ndryshimet

Kur kjo politikë ndryshon, data më lart përditësohet. Ndryshimet e rëndësishme i njoftojmë në këtë faqe dhe pronarëve të lokaleve me email. Në rast mospërputhjeje mes versionit shqip dhe atij anglisht, vlen versioni shqip.